16 maj 2013

U HAP SOLEMNISHT PARKU TEKNOLOGJIK

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, të mërkurën (15 maj 2013), në praninë e ministrave të ekonomisë dhe arsimit të Maqedonisë, kryetares së Tetovës dhe përfaqësuesve të disa ambasadave të akredituara në Maqedoni u bë hapja solemne e Parkut Teknologjik.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore Prof. Dr. Zamir Dika, tha se parqet teknologjike në vete ngërthejnë elementet më të rëndësishme – do të kisha thënë kyçe për një ekonomi të bazuar në dije, siç janë aspektet e inovacionit, komercializimit të idesë, ndërmarrësisë dhe partneritetit të “mençurisë”universitet-industri-qeveri.

“Siç do të shikoni, sot nuk po e hapim vetëm ndërtesën dhe infrastrukturën e Parkut Teknologjik – që janë elemente të rëndësishme për kompanitë, por edhe po promovojmë tre kompani që tashmë janë pjesë e Parkut me planet e tyre.”, tha rektori Dika

Sipas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi projektet e këtilla synojnë krijimin e kushteve për zhvillimin dhe zbatimin e novacioneve.

“Nuk ka mundur të ketë kohë më të mirë se kjo për themelimin e këtij parku teknologjik-shkencor sepse dinamika e ndryshimit ekonomik dhe teknologjik në Evropë reflekton në masë të madhe ngritjen e sistemit të ri ekonomik të bazuar në dije dhe të udhëhequr nga hulumtimi shkencor dhe inovacioni I vazhdueshëm teknologjik”, tha kryetarja Arifi.

Ministri i Arsimit i Maqedonisë, Pançe Kralev, përgëzoj universitetin dhe bordin për hapin e guximshëm në krijimin e parkut teknologjik, që do të ndikojë në zhvillimin e kompanive dhe partneritetit të përbashkët.

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, tha se në Universitetin e EJL-së ekziston një infrastrukturë solide dhe kuadri shkencor, të cilët mund të jenë bartës të proceseve inovuese te ne, ndërsa do të mundësoj aplikimin praktik të njohurive ekzistuese dhe përdorimin e tyre për zgjidhjen konkrete të problemeve në ekonomi, për nxitjen e zhvillimit dhe për stimulimin e eksportit.

Drejtori i Parkut Teknologjik të UEJL-së, Doc. Dr. Azir Aliu është i mendimit se ky park, do të ndihmojë që në një vend profesorët, hulumtuesit, studentët dhe biznesi të bashkëpunojnë me objektivin për të futur inovacione si në akademi ashtu edhe ne industri.

Ky është parku i parë teknologjik që hapet në Maqedoni. Për hapjen e Parkut Teknologjik, Universiteti i Evropës Juglindore ka investuar rreth 50 mijë euro dhe ka siguruar një hapësirë prej 650 metra katror.